Sarme me gjethe rrushi

Përbërësit:
Gjethe rrushi,
1 kg mish të bluar,
2 qepë,
1 gotë oriz,
vaj,
kripë,
piper të kuq,
piper të zi,
erëza të tjera sipas dëshirës.
Udhëzimet:
Në një tigan fërgojmë mishin e bluar bashkë me qepën. Pastaj shtojmë orizin, kripën, piperin e zi, piperin e kuq dhe erëzat e tjera sipas dëshirës. Në këtë masë mund të shtojmë edhe copëza mishi të thatë për t’iu dhënë aromë dhe shije të veçantë sarmave.

Me këtë mbushje i mbështjellim gjethet e rrushit (të ziera më parë). Mbështjellja të bëhet me kujdes, sa më të vogla që mbështillen, aq më praktike dhe më të mira bëhen. Sarmat e formuara i rreshtojmë në tenxhere, në fundin e së cilës paraprakisht kemi shtruar disa gjethe rrushi.

Sipër sarmave shtojmë një gotë ujë dhe yndyrë. Tenxheren me sarma e mbyllim me kapak dhe e lëmë në zjarr të ulët për 2-3 orë që të mos prishet forma. Sarmat e ziera janë gati për shërbim megjithatë ato mund të vendosen në një tepsi dhe t’i fusim në furrë për gjysmë ore
që të skuqen dhe rreshken më mirë.

Kjo varet nga shija juaj. Më parë sarmat shërbeheshin me bukë misri dhe turshi. Sarmat shërbehen edhe me kos të ftohtë. Ju bëftë mirë!