Speca të mbushur me lakra: Turshi e cila adhurohet!

Duart e vyera të gjysheve tani janë të gatshme për t’i përgatitur turshitë: speca të mbushur me lakra të grira.

Përbërësit: 1 lakër, 15-20 speca të vegjël gogozhare, 150gr kripë, 150gr sheqer, 500ml uthull alkooli 9%, 1,5L  ujë, pak spec djegës, fletë selinoje, piper kokrra.

Përgatitja: Lakrën grijeni, qitni pak kripë, ndrydheni pak me dorë dhe lëreni ashtu të qëndrojnë për 15 minuta. Specat lani dhe hiqjani farat, më pas lakrën kullojeni me duar dhe mbushni specat. Specat mund t’i mbyllni edhe me domate të gjelbër, nëse dëshironi.

Radhisni në kavanoza të larë, ndërkaq midis tyre futni speca djegës. Hidhni fletë selinoje dhe piperin kokrra. Në tenxhere shtoni 1,5L ujë, pastaj shtoni 500ml uthull, kripën dhe sheqerin dhe përzieni që të shkrihen.

Vendosni shtrëngues plastikë dhe hidhni specat më pas mbylleni me kapakë metali.

Mënyra e parë: Lëreni furrën të ndezur në 90 gradë Celsius, lëreni afro 10 minuta dhe fikni furrën dhe lëreni derisa kavanozat të ftohen.

Mënyra e dytë: Në këtë sasi lëngu shtoni gjysmë luge të vogël pluhur kundër mykut dhe gjysmë luge të vogël konservans dhe mbyllni mirë kavanozat.

Mënyra e tretë: Në kavanoza qitni copa rrike dhe mbushni me ujë. Asgjë nuk duhet shtuar, por duhet kontrolluar kavanozat pas 3-4 javësh. Ruani patjetër në vend të ftohtë dhe të errët. Ju bëfshin mirë!