Supa

Supa e mysafirëve, receta që mahnitë të gjithë

Mënyra më e mirë për të mikpritur miqtë apo të afërmit më të dashur është duke u shtruar tryezën me gatime të shijshme.

Kjo supa është një recetë e vjetër, traditë e kuzhinës së vendeve të lindjes dhe për breza me radhë përgatitej nga amvisat në raste të veçanta familjare kur shtëpinë e vizitonin miq e mysafirë.

Sot, kjo recetë e shijshme njihet gjerësisht në vende të ndryshme të botës si dhe është pjesë e menuve të shumë restoranteve prestigjiozë.

Përgatitet krejt lehtë në shtëpi dhe falë përbërësve të saj, ku bajamet janë kryesore shija që të ofron është me të vërtetë e veçantë.

Përbërësit:

  • Një filxhan çaji me bajame
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 4 lugë gjelle miell
  • 4-5 gota uji me lëng pule
  • 1 gotë qumësht
  • Kripë
  • Piper i zi
  • Majdanoz i grirë hollë (nëse preferoni ta shtoni)

Përgatitja:

Si fillim, ju sugjerojmë të thërrmoni bajamet. Ndajeni sasinë e tyre përgjysmë. Një pjesë të bajameve të thërrmuara lëreni mënjanë ndërsa pjesën tjetër bashkojeni me qumështin dhe kalojeni në mikser derisa bajamet të njëtrajtësohen me qumështin.

Ndërkohë vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni aty gjalpin dhe pjesën tjetër të bajameve. Kaurdisini për maksimumi 1-2 minuta, më pas shtoni miellin dhe vijoni ta përzjeni derisa mielli të marrë ngjyrë të verdhë të artë.

Ndërkohë që vijoni të përzieni shtoni me ngadalë lëngun e pulës duke mos e ndërprerë përzierjen në mënyrë që të mos krijohen kokrriza.

Pasi masa të jetë njëtrajtësuar lëreni sa të marrë një valë ndërkohë shtoni qumështin me bajamet, kripën, piperin dhe lërini të ziejnë edhe për 10 minuta duke i përzjerë herë pas here derisa supa të bëhet kremoze por jo shumë e trashë.

Kjo supë serviret e ngrohtë, spërkatet sipër sipas preferencës me majdanoz të grirë hollë dhe disa pika gjalpë të tretur gjithashtu.