Përbërësit: 1 vezë, 1 gotë e ujit gjalpë (margarinë), 1 gotë e ujit vaj, 1 gotë e ujit jogurt, 5 gota të ujit miell, 1 gotë të ujit miell misri, 1 pluhur për pjekje (pecivë), 1 sheqer vanilje
150gr bajame të bluara.
Për sherbetin: 3 gota ujë, 3 gota sheqer, pak limon.
Përgatitja: Fillimisht marrim një tigan kuzhine dhe e vedosim gjalpin (margarinën) që të shkrihet. Më pas margarinës së shkrirë ia shtojmë një gotë të ujit vaj, 1 gotë të ujit jogurt.
Ndërsa miellin e përziejmë me pluhurin për pjekje (pecivën) sheqer vaniljen, një gotë të ujit miell misri dhe e shtojmë ngadalë tek përbërësit e tjerë duke e përzier brumin me dorë.
Në fund brumit ia shtojmë një vezë, më pas shtojmë bajamet dhe e përziejmë brumin mirë me dorë ose me një lugë gjelle. Pasi brumi të jetë i gatshëm e marrim një tepsi për ëmbëlsira dhe e lyejmë me pak margarinë që të mos ngjitet ëmbëlsira.
E shtojmë brumin në tepsi të lyer ngadalë dhe e shtrijmë mirë me dorë, e presim ëmbëlsirën në formë katrore (ose çfarëdo forme që dëshironi) dhe e fusim në furrë për pjeke.
Ëmbëlsirën e pjekim rreth 2 orë e 30 minuta ngadalë që të piqet mirë, në fillim e pjekim në temperaturë 160 gradë C por mbasë 1 orë e ulim temperaturën në 150 gradë C.
Pasi ëmbëlsira të piqet e lëmë që të ftohet, ndërkohë e ziejmë sherbetin me 3 gota ujë, 3 gota sheqer dhe një copë limon. E ziejmë mirë sherbetin për disa minuta dhe më pas e lëmë të ftohet.
Pasi që të ftohen edhe ëmbëlsira edhe sherbeti ia hedhim ëmbëlsirës sherbetin dhe e lëmë të qëndrojë ashtu për pak kohë derisa ta pijë të tërin. Sipër e dekorojmë me bajame. Ju bëftë mirë!