Tortë e lehtë me kakao

Përbërësit:

150gr margarinë, 2 vezë, një gotë e gjysmë sheqer, 150ml qumësht, një pluhur për pjekurina, një sheqer vanilje, 3 lugë gjelle kakao, 2 gota miell.

Përbërësit për glazurën:

50gr margarinë, 2 lugë të vogla nesscaffe, 2 lugë gjelle kakao, një vanilje sheqer, një gotë e gjysmë sheqer pluhur (Gota duhet të ketë masën 2dcl).

Përgatitja:

Fillimisht marrim një enë kuzhine (tigan) shtojmë 150gr margarinë dhe e shkrijmë në temperaturë mesatare, më pas në një enë tjetër kuzhine shtojmë 2 vezë, një gotë e gjysmë sheqer dhe i tundim për pak me mikser ose tel kuzhine. Më pas tek masa e vezëve me sheqerin shtojmë 150ml qumësht, një pluhur për pjekurina (pecivë), një sheqer vanilje 3, lugë gjelle kakao dhe e tundim përsëri masën me mikser deri sa të fitojmë një masë homogjene.

Më pas në fund tek masa shtojmë 2 gota miell dhe e pëerziejmë masën ngadalë me tel kuzhine deri sa të tretet mirë miellin dhe të bëhet një brumë ëmbëlsire i shkriftë. Pasi masa të jetë gati e hedhim në një tepsi për ëmbëlsira të cilën e lyejmë me vaj, duke e shtrirë brumin mirë në të gjithë sipërfaqen e tepsis me anë të një luge. Më pas ëmbëlsirën e fusim në furrë për pjekje dhe e pjekim në temperaturë 200 gradë C për 15 minuta. Pasi ëmbëlsira të piqet e largojmë nga furra dhe e lëmë me një anë që të ftohet.

Përgatitja e glazurës:

Fillimisht në një enë kuzhine (tigan) shkrijmë 50gr margarinën dhe më pas tek margarina shtojmë një gotë e gjysmë sheqer pluhur, 1 sheqer vaniljen, 2 lugë gjelle kakao, 2 lugë të vogla nesscafe dhe i përziejmë mirë të gjithë përbërësit në temperaturë mesatare deri sa të fitojmë një krem të trashë mesatarish. Pasi glazura të jetë gati, ia hedhim ëmbëlsirës sipër dhe sipas shijes e dekorojmë me arra të bluara. Përgatitet shpejtë dhe bëhet një ëmbëlsirë shumë e shijshme duhet ta provoni. Ju bëftë mirë!