Një ëmbëlsirë e shijshme dhe kremoze që do të kënaq shijen e secilit.
Përbërësit për petën: 5 vezë, 100gr sheqer, 40gr kakao, 2 lugë gjelle miell, kripë, kanellë, arrë moskat.
Për mbushjen: 250ml ajkë e ëmbël, 100gr çokollatë e zezë, aromë vanilje.
Glazura: 100gr çokollatë e zezë, 20gr gjalpë, 50gr lajthi të thërmuara.
Përgatitja: Fillimisht e përgatisim mbushjen me përbërësit e cekur më lartë, më pas çokollatën shkrijeni e ajkën përziejni mirë me mikser. Kur të jetë ftohur pak çokollata bashkojeni me ajkën dhe shtoni aromën e vaniljes dhe më pas lëreni të ftohet në frigorifer.
Më pas tepsinë mbulojeni me letër pjekjeje, qoshet e tepsisë lyeni me pak gjalpë, në mënyrë që të mos ngjitet peta. Të bardhët e vezëve përzieni mirë me 1/3 e sheqerit derisa të fitoni një shkumë të fortë, ndërsa të verdhat e vezëve përzieni me pjesën e mbetur të sheqerit e më pas shtoni kakaon, pak kripë, kanellën, arrën moskat dhe miellin.
Pastaj tek kjo masë gradualisht shtoni të bardhët e rrahura. Kur të keni fituar një masë homogjene, zbrazeni atë në tepsinë e përgatitur. Furrën ngroheni paraprakisht në 220 gradë C dhe piqeni petën për afro 7 minuta. Pas pjekjes, petën mbështilleni me një napë të lagur kuzhine dhe pasi të jetë ftohur, petën mbusheni me çokollatën e ftohur. Zbukurojeni me çokollatën e shkrirë me pak gjalpë dhe me lajthi të copëtuara trashë. Ju bëftë mirë!