tortë

Tortë me brumë çokollate, tepër e lehtë

Një tortë e cila nuk përmban shumë sheqer dhe shumë e lehtë për organizmin, e shijshme dhe shumë e shpejt në përgatitje.

Përbërësit:

  • 3 vezë
  • 5 lugë gjelle sheqer
  • 1 pako sheqer vanilje
  • 100ml vaj
  • 10 lugë gjelle miell
  • 1 pako pluhur për pjekje (baking powder)
  • 1 çokollatë të zezë për ëmbëlsira

Për lyerje:

  • 1 pako puding vanilje
  • 200ml qumësht
  • 2 lugë gjelle sheqer

Për dekorim:

  • kakao

Përgatitja:

Marrim një enë kuzhine dhe në të shtojmë vezët, sheqerin, sheqer vaniljen, vajin dhe i përziejmë mirë të gjitha me tel kuzhine për 5 minuta. Më pas tek kjo masë shtojmë miellin, pluhurin për pjekje dhe përsëri e përziejmë masën mirë me tel kuzhine derisa të tretet mirë mielli dhe pluhuri për pjekje.

Pastaj tek kjo masë shtojmë një çokollatë të zezë të grimcuar dhe e përziejmë përsëri për 2 minuta. Pasi masa e brumit është gati, marrim tepsinë në formë rrethore të cilës i larohet kallëpi dhe e lyejmë mirë me gjalpë.

Masën e brumit e hedhim në tepsi dhe më pas e fusim në furrë për pjekje të cilën e kemi ngrohur më parë në 180 gradë C dhe e pjekim për 35 minuta. Pak para se ta largojmë ëmbëlsirën nga furra përgatisim pudingun, 1 pako puding vanilje e hedhim në një enë dhe e tretim me pak qumësht.

Pudingut i shtojmë 2 lugë gjelle sheqer, ndërsa në një enë tjetër kuzhine shtojmë 200ml qumësht të cilin e vendosim në temperaturë mesatare derisa të ngrohet dhe fillon të del avull.

Në momentin që qumështin fillon të vlojë apo të del avull e hedhim pudingun që e kemi tretur më parë me pak qumësht dhe e përziejmë me lugë apo me tel kuzhine vazhdimisht derisa të trashet. Pasi e kemi larguar ëmbëlsirën nga furra dhe pudingun tashmë e kemi gati, e lyejmë ëmbëlsirën mirë me puding dhe sipër e dekorojmë me kakao.

E presim ëmbëlsirën në format që dëshirojmë dhe më pas e fusim në frigorifer që të qëndrojë për 1 orë. Përgatitet shumë shpejt dhe me pak përbërës. Ju bëftë mirë!