Përbërësit: 500ml ujë, 100ml vaj, 500gr miell, 6 vezë, 1 litër vaj për fërgim. Për sherbetin: 700ml ujë, 900gr sheqer, 1 limon. Përgatitja: Para se të fillojmë përgatitjen e tullumbave, fillimisht përgatisim sherbetin duke shtuar në një enë kuzhine (tenxhere) 700ml ujë, 900gr sheqer, lëngun e një limoni dhe e ziejmë për 5 minuta duke e përzier me lugë deri sa të trete sheqeri.
Më pas marrim një enë kuzhine (tenxhere) e vendosim në zjarr dhe shtojmë 500ml ujë, 100ml vaj dhe e lëmë të vlojë për disa minuta, sapo të fillojë të vlojë shtojmë 500gr miell duke e shtuar nga pak dhe duke e përzier vazhdimisht me lugë.
E përziejmë ashtu në zjarr për 5 minuta vazhdimisht me lugë, më pas e largojmë nga zjarri dhe e lëmë me një anë të ftohet. Pasi të ftohet masa, shtojmë 6 vezë një nga një siç e shikoni në video dhe e përziejmë masën deri sa të shtojmë vezët vazhdimisht me mikser për 5 minuta.
Pasi të jetë brumi gati, marrim një shiringë kuzhine dhe e mbushim me brumi e përgatitur për tullumba me anë të një luge siç e shikoni në video. Më pas në një enë tjetër kuzhine (tigan) shtojmë 1 litër vaj dhe ashtu në vaj të ftohtë shtojmë brumi për tullumba me anë të shiringës, nga një tullumb duke e ndarë brumi me anë të një thike ose gërshëre kuzhine.
Më pas në temperaturë mesatare i pjekim tullumbat, duke i rrotulluar nga të gjitha anë deri sa të marrin një ngjyrë të artë për 15 minuta. Secilin tullumb që fërgohet dhe merr një ngjyrë të artë e nxjerrim nga vaji dhe e fusim menjëherë në enën me sherbet që e kemi përgatitur më herët.
Kështu vazhdojmë me të gjithë tullumbat sapo të fërgohen i largojmë nga vaj dhe i fusim në sherbet, i lëmë të qëndrojnë për 3 deri 4 minuta në sherbet më pas i largojmë nga sherbeti dhe i vendosim në një enë tjetër. Bëhen shumë të shijshëm dhe përgatiten shpejtë duhet ti provoni. Ju bëfshin mirë!