Çervish me mish të pulës

Përbërësit: 1 pulë, 15 lugë miell misri, 200gr gjalpë, 1 qepë, 1 lugë kripë, 200gr petë bakllave, biber të kuq, biber të zi.

Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine (tenxhere), më pas marrim pulën dhe e ziejmë me qepë, kripë, biber të kuq, biber të zi për rreth një orë apo varësisht çfarë është pula nëse është më taze atëherë zihet më shpejtë. Pasi e kemi vendosur pulën që të zihet, marrim një enë tjetër kuzhine (tigan) dhe shtojmë 15 lugë miell misri duke e përgatitur me 200gr gjalpë për 20 minuta.

Miellin e përziejmë mirë me lugë në temperaturë mesatare deri sa fillon ta ndërron ngjyrën nga e kafet në të hapur, më pas e përvëlojmë me ujin e mishit ku është zier pula dhe e përziejmë vazhdimisht me lugë që të mos na bëhet mielli duqe.

Pastaj marrim 200gr petë bakllave (të gatshme) të cilat i kemi skuqur paraprakisht në tavë dhe çervishin e përgatitur më parë me gjalpë dhe ujin e mishit të pulës e derdhim mbi petët e bakllavës. Më pas sipër çervishit shtojmë mishin e pulës dhe e fusim tavën në furrë për 15 minuta që të rreshket në temperaturë mesatare që mos të thahet shumë.

E përcjellim tavën vazhdimisht deri sa të rreshket pak sipër, më pas kur çervishi të jetë gati e largojmë nga furra dhe e lëmë që të ftohet për pak minuta para se ta shërbejmë. Para se ta shërbeni drekën në tavolinë vendosni kos me hudhër pasi që çervishi me miell misri dhe mish pule shërbehet me kos dhe hudhër. Bëhet vërtetë një drekë shumë e shijshme dhe përgatite shumë shpejtë. Ju bëftë mirë!