Ëmbëlsirë e shijshme kremoze

Përbërësit: 6 vezë, 8 lugë sheqer, 100ml vaj, 100ml qumësht, 3 lugë kakao, 8 lugë miell, 1 pluhur për pjekje.

Për kremin: 1 litër qumësht, 5 lugë miell, 1 puding vanilje, 6 lugë sheqer, 2 pako sheqer vanilje, 100ge çokollatë e bardhë, 125gr margarinë, 150gr sheqer pluhur. Për glazurën: 100gr çokollatë e zezë, 50gr margarinë, plus 200ml qumësht i ftoftë, miell kokosi.

Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine dhe shtojmë të bardhat e vezës, i rrahim mirë me mikser ose me tel kuzhine për pak minuta dhe më pas shtojmë edhe sheqerin e në fund edhe të verdhat e vezës. Vazhdojeni rrahjen edhe për pak kohë e më pas shtoni të gjithë përbërësit e tjerë për petën.

Petën e fituar piqeni në furrën e parangrohur në 180 gradë për 40 minuta, lëreni të ftohet e më pas ndajeni përgjysmë, duke përfituar dy peta. Më pas 800ml qumësht zieni bashkë me sheqerin e sheqer vaniljen. Në 200ml qumësht hidheni miellin dhe pudingun e vaniljes e më pas përzierjen zbrazeni tek qumështi e vazhdoni zierjen.

Pastaj largojeni nga zjarri, shtojani çokollatën e bardhë dhe trazojeni mirë masën derisa të shkrihet çokollata. Më pas, kremin lëreni të ftohet dhe në një enë rraheni margarinën me sheqerin pluhur e më pas këtë masë hidheni tek kremi i ftohur.

Njërën petë vendoseni në enën adekuate, hidhni 100ml qumësht të ftohtë e më pas lyejeni me kremin e përgatitur. Sipër kremit hidheni petën tjetër e sërish lageni me qumësht të ftohtë. Tortën e përgatitur lëreni në frigorifer për 1 orë e më pas lyejeni anash me kremin e mbetur dhe spërkateni me kokos, sipër saj hidheni glazurën e përgatitur.

Ju bëftë mirë!