kakao

Ëmbëlsirë fantastike me kakao dhe kokos

Kjo ëmbëlsirë me kakao dhe kokos të shkrihet në gojë, dy përbërës që i japin shije çdo ëmbëlsire. Thjesht ëmbëlsirat me kakao dhe kokos janë fantastike.

Përbërësit për këtë ëmbëlsirë me kakao:

  • 4 vezë
  • 5 lugë gjelle sheqer
  • 1 gotë të çajit vaj
  • 1 pako sheqer vanilje (10gr)
  • 8 lugë gjelle miell
  • 1 pako pluhur për pjekje (baking powder 12gr)
  • 2 lugë gjelle kakao
  • 1 pako kokos (80gr)
  • 1 shllag për lyerje
  • lajthi të bluara

Për sherbetin:

  • 2 gota e gjysmë ujë (më pak se gjysma)
  • 5 lugë gjelle sheqer
  • disa pika limoni

Përgatitja:

Fillimisht në një enë kuzhine shtojmë vezët, sheqerin, vajin, sheqer vaniljen dhe i përziejmë mirë me mikser derisa të bëhet një masë e dendur. Pastaj shtojmë miellin, pluhurin për pjekje dhe e përziejmë prap masën me mikser, më pas tek masa shtojmë kakao dhe e përziejmë me tel kuzhine.

Pasi i kemi shtuar të gjithë këta përbërës, shtojmë kokosin dhe masën e përziejmë me lugë. Brumin e ëmbëlsirës e hedhim në tepsi katrore të lyer me gjalpë (margarinë) e shtrijmë mirë në tepsi, më pas e fusim në furrë për pjekje të cilën e kemi ngrohur në maksimum 250 gradë C dhe e pjekim në temperaturë 180 gradë C për 20 minuta.

Derisa ëmbëlsira piqet vlojmë ujin për sherbetin, në momentin që uji vlon shtojmë sheqerin, disa pika limoni dhe e përziejmë mirë me lugë derisa të tretet mirë i gjithë sheqeri. Pasi ëmbëlsira piqet e largojmë nga furra, i bëjmë disa vrima me rrëmojse dhe më pas ia hedhim sherbetin ngadalë derisa ta pijë të tërin.

Pasi ia kemi hedhur sherbetin e lëmë të qëndrojë ashtu për 20 minuta më pas e lyjemë sipër me shllag të bardhë dhe e dekorojmë me lajthi të bluara. E vendosim në frigorifer për ftohje dhe më pas ëmbëlsira është gati për tu shërbyer. Ju bëftë mirë! /Pergatit

Këshillë: Shërbetin e nxehtë mund ta hidhni sipër ëmbëlsirë edhe kur është e nxehtë por edhe e ftohur.