Përbërësit: 400ml qumësht, 2 lugë gjelle sheqer, 160gr miell gruri (grizë), 1 pako sheqer vanilje, 1 lugë gjalpë (margarinë), biskota plazma (ose çfarë do që keni dëshirë), 100gr çokollatë me lajthia.
Përgatitja: Marrim fillimisht një enë kuzhine (tenxhere), shtojmë 400ml qumësht, 2 lugë të gjellës sheqer, 160gr miell gruri (grizë) e përziejmë pak masën me tel kuzhine më pas shtojmë një pako sheqer vanilje. Më pas e ziejmë në temperaturë mesatare deri sa të zihet kremi dhe të trashet.
Pasi të trashet kremi, shtojmë një lugë gjalpë (margarinë) dhe e përziejmë edhe pak me tel kuzhine deri sa të tretet gjalpi. Më pas marrim një enë ku do ta vendosim ëmbëlsirën në formë katërkëndëshe dhe të ngushtë, si kjo që e shihni në video dhe në të shtojmë një qese kuzhine.
Më pas marrim biskotat plazma ose çfarë do biskota që dëshironi dhe e shtrijmë një rend biskota në tepsi. Pastaj marrim kremin e përgatitur më parë dhe e shtojmë sipër biskotave, nëse kemi përgatitur shumë krem për enën që e kemi nuk e shtojmë të gjithë kremin por sa të jetë e nevojshme.
Pastaj sipër kremit që kemi hedhur shtojmë dhe një rend biskota të tjerë dhe më pas marrim një çokollatë me lajthia dhe e shkrijmë me pak qumësht mbi avull. Pasi çokollatë të jetë shkrirë, ua hedhim biskotave sipër duke e shtrirë mirë me lugë dhe pasi ëmbëlsira të jetë përgatitur e vendosim në frigorifer për 20 minuta.
Pas 20 minutave ëmbëlsirën e largojmë nga frigoriferi, e presim në copëza katrore më pas e shërbejmë. Një ëmbëlsirë me një shije fantastike dhe nuk kërkon kohë në përgatitje. Ju bëftë mirë!