Një kek të cilin do ta keni në pjatën tuaj për 30 minuta dhe ta shoqëroni me kafe, do ju lë pa fjalë me shijen që i jep kakao dhe çokollata.
Përbërësit:
- 3 vezë
- 200gr sheqer
- 10gr sheqer vanilje
- 245ml qumësht
- 110ml vaj
- 250gr miell
- 3 lugë të gjellës kakao
- 10gr pluhur për pjekje (baking powder)
Për sherbetin:
- 150ml qumësht të ftohtë
Për lyerje sipër:
- 100ml krem hopla, 100gr çokollatë të zezë
Përgatitja:
Fillimisht në një enë kuzhine shtojmë vezët, sheqerin dhe sheqer vaniljen. Të gjithë këta përbërës i përziejmë me tel kuzhine mirë për pak minuta, më pas tek kjo masë shtojmë qumështin e ftohët (në temperaturë dhome), vajin dhe e përziejmë përsëri masën me tel kuzhine për pak çaste.
Tek masa më pas shtojmë miellin, kakaon, pluhurin për pjekje apo ndryshe fryrësin për ëmbëlsira dhe e përziejmë sërish masën me tel kuzhine dhe jo me mikser. Pastaj marrim enën në formë keku dhe e lyejmë me gjalpë me ndihmën e brushës.
Pastaj e hedhim masën e brumit në të dhe më pas e fusim në furrë për pjekje në 180 gradë C për 30 minuta, duke e shikuar vazhdimisht që të mos na digjet. Pasi të piqet keku sipër i hedhim 150ml qumësht të ftohtë.
Pasi ta ketë pirë keku të gjithë qumështin, në një enë tjetër kuzhine shtojmë krem hopla të cilin e kemi ngrohur paraprakisht. Më pas shtojmë tek kremi çokollatë të zezë dhe e përziejmë mirë me lugë derisa të shkrihet çokollata.
E largojmë kekun nga tepsia dhe e rrotullojmë nga ana tjetër e formës në një enë më të madhe dhe më pas e dekorojmë sipër me çokollatë të shkrirë. Ju bëftë mirë!