Në shumë raste njerëzit e blejnë peshkun e ngrirë, duke shmangur blerjen e peshkut të freskët, sepse shpesh u ka ndodhur që të kenë blerë peshk të prishur ose të vjetër.
Peshku i ngrirë, edhe pse është i shëndetshëm dhe i shijshëm, megjithatë i është nënshtruar efektit të temperaturave të ulëta.
Në të tilla raste, mbështjellësit proteinikë shpërbëhen dhe gjatë kohës së pjekjes, lëngjet të cilat duhet të qëndrojnë në mish rrjedhin, ashtu që peshku humb disa nga materiet themelore ushqyese.
Ja si mund ta kuptoni nëse peshku është i freskët ose jo:
Aroma flet shumë sa i përket kualitetit, prandaj mos hezitoni që t’i merrni erë mirë peshkut. Nëse ndieni thartësi dhe aromë të pakëndshme në hundë, ai peshk nuk është për ju.
Është shumë me rëndësi të shikohen sytë e peshkut. Nëse janë të kthjellët, peshku është i freskët, nëse janë të turbullt ose të mjegulluar, nuk duhet ta blini atë peshk.
Peshku i freskët njihet edhe me anë të velëzave të freskëta, të ngjitura dhe luspave, dhe lëkurës së tendosur dhe shkëlqyese, e cila në prekje duhet të jetë e vrazhdë.