kifle

Kifle të buta me krem dhe copëza çokollate

Kifle të buta e shumë të shijshme me krem. Bëhen shumë të mira sa që do ju shkrihen në gojë, befasoni mysafirët tuaj dhe fëmijët me këto kifle!

Përbërësit për brumin:

  • 1 vezë e plotë në temperaturë ambienti
  • 200ml qumësht i ngrohtë
  • 7gr maja e thatë (ose 25 gr maja e freskët)
  • 50ml vaj lule dielli
  • pak kripë (me majë të gishtave)
  • 80gr sheqer
  • 8gr sheqer vanilje
  • miell 400-460gr
  • 50gr gjalpë të butë

Përbërësit për kremin:

  • 2 të verdha veze
  • 35gr niseshte misri
  • 50gr sheqer
  • 8gr sheqer vanilje
  • 260ml qumësht
  • pak kripë

Përgatitja e kremit:

Në një enë apo tenxhere shtojmë sheqerin, sheqer vaniljen, niseshten, pak kripë, të verdhat e vezëve dhe i përziejmë me lugë. Më pas shtojmë qumështin dhe masën e përziejmë me tel kuzhine në temperaturë mesatare derisa të fitojmë një krem të trash. E vendosim kremin në një enë, e mbulojmë sipër me qese kuzhine dhe e lëmë të qëndrojë në frigorifer.

Përgatitja e brumit:

Marrim një enë kuzhine dhe në të shtojmë fillimisht maja buke, qumështin e ngrohtë, 5gr sheqer (një lugë e sheqerit) dhe e përziejmë me tel kuzhine. E mbulojmë enën sipër me një pjatë dhe e lëmë të qëndroj ashtu për 15 minuta. Më pas e përziejmë përsëri me tel kuzhine dhe shtojmë një vezë në temperaturë ambienti, vajin, 75gr sheqer, pak kripë, sheqer vanilje.

Të gjithë këta përbërës i përziejmë me tel kuzhine dhe më pas shtojmë miellin, e përziejmë fillimisht me lugë dhe më pas me duar derisa të fitojmë një brumë të butë. Shtojmë gjalpin e butë dhe përsëri e ngjeshim brumin mirë me duar, duke formuar një kulaçe.

E mbulojmë brumin dhe e lëmë të qëndrojë ashtu për një orë, pasi brumi është gati e vendosim në tavolinë të përmiellur dhe e hollojmë me holluese, duke e holluar petën në formë katrore. Në një anë të petës shtojmë kremin e përgatitur më parë dhe copëza të vogla çokollate, ndërsa anën tjetër të petës e kthejmë sipër kremit.

I largojmë qoshet e brumit dhe e presim brumin në këtë formë si në foto, më pas u japim formë duke i dredhur. Të gjitha i vendosim në tepsi, i mbulojmë sipër dhe i lëmë të qëndrojnë ashtu për 20 minuta. Sipër i lyejmë me të verdhën e vezës që e kemi përzier me pak qumësht dhe u hedhim bajame të grira.

I fusim në furrë për pjekje dhe i pjekim në temperaturë 180 gradë C për 15 minuta. Ju bëfshin mirë!