Kilimili, katrorë të shijshëm me kokos

Përbërësit për brumin: 3 vezë, 13 lugë vaj, 16 lugë miell, 10 lugë sheqer, 1 pako pluhur pjekës (baking powder; pecivë), 1 dcl qumësht ose kos (100 ml), lëkura e një limoni.

Për kremin: 250 gr margarine ose gjalpë, 200 gr çokollatë gatimi, 1 lugë rum ose 1 gotë të vogël likeri kafeje ose cokollate, edhe likeri i portokallit do i shkonte shumë kremit çokollatë, 200 ml qumësht. Shtresa e siperme: 300 gr kokos të bluar.

Përgatitja: Ndajmë të bardhat e vezeve nga të verdhat. Rrahim të bardhat veç me pak kripe sa bëhet një marenge e fortë. Të verdhat i rrahim me sheqerin sa të zbardhet masa. Përziejmë pluhurin pjekës tek mielli.

Shtojmë kosin apo qumështin (varet kë do zgjedhim ne) tek vezet dhe përziejmë me mikser masën. Shtojmë dhe miellin lugë – lugë dhe e përziejmë me shpejtësi të ulët. Në fund fare hedhim dhe lekurën e limonit dhe të bardhën e vezës e shtojmë me kujdes me përzierje vertikale me qëllim që mos të ulet vellimi dhe masa të fryhet e të dalë e kulluar kur të piqet.

E hedhim në një tavë drejtëkëndëshe ku kemi shtruar letër pjekëse. E pjekim në temperaturë 200 gr rreth 20-30 min. Kjo varet shumë prej sobës tuaj. Ndërkohë që keku piqet ne përgatisim masën e kremit çokollatë në “banjë mari”. Hedhim të gjithë përbërësit e kremit në një enë të thellë tas metalik ku e kemi vënë mbi një tenxhere në të cilën uji ka marrë valë.

Cokollatën e copëtojmë në katrore jo siç është, pasi shkrin me kollaj. Pra tasi nuk ka kontak të drejtperdrejtë me zjarrin por me nxehtesine që lëshon avulli i ujit të valuar (ky lloj proçesi quhet banjë-mari në kuzhine).

Kekun e pjekur e lëmë të ftohet dhe e presim në kuadrata të vegjël. Kuadratat unë i marr me një shtizë metalike i fus ne kremin e përgatitur dhe pastaj i hedh në një enë ku kam vënë kokosin dhe e rrotulloj nga të gjitha anët.

Kremi është mirë të jetë i ngrohtë se kështu përthithet më mirë dhe Lamingtons dalin te buta. Nëse kremi nga fundi ju ftohet ngroheni pak që të gjitha copat të thithin kremin e ngrohtë se kështu depërton më mirë.

Pasi keni kaluar të gjitha në kokos i vendosni mbi një pjatancë të bukur dhe janë gati për përdorim. Nëse do i ruani i fusni në një kuti me kapak njëlloj siç bëni për biskotat e Krishtlindjeve që të rrinë të buta. /pergatit.com

Ju bëftë mirë!