Kulaçe shumë të buta dhe të shijshme, salca me sos domatesh ju jep një shije fantastike. Ideale kur keni mysafirë special.
Përbërësit për brumin:
- 1 gotë qumësht të ngrohtë (200ml)
- 1 gotë me ujë të ngrohtë (200ml)
- gjysmë pako maja buke të freskët ose 1 lugë maja të thatë
- gjysmë gote të ujit vaj
- 1 lugë çaji kripë
- 1 lugë çaji sheqer
- 5 gota miell
Për salcën sipër:
- 1 qepë
- 1 lugë gjelle sos domatesh
- gjysmë gote të çajit vaj ulliri
- 1 lugë çaji kripë
- 2 lugë susam
- piper të zi
Përgatitja:
Në një enë kuzhine shtojmë qumështin e ngrohtë, ujin e ngrohtë, majën e bukës, sheqerin dhe i përziejmë mirë me lugë ose tel kuzhine. Më pas tek kjo masë shtojmë vajin, kripën, e përziejmë përsëri masën mirë dhe pastaj shtojmë miellin gradualisht aq sa të marr, 4 deri në 5 gota miell.
Brumin e përziejmë mirë me lugë dhe e ngjeshim mirë me duar derisa të bëhet një brumë që nuk ngjitet, e lëmë në enën ku e kemi ngjeshur dhe e mbulojmë sipër me qese kuzhine, duke e lënë ashtu për 45 minuta në një ambient të ngrohtë derisa brumi të dyfishohet.
Derisa brumi të dyfishohet përgatisim salcën, marrim një tigan të vogël dhe në të shtojmë qepën e grirë imët, vajin e ullirit dhe i fërgojmë në temperaturë mesatare derisa të zbutet qepa. Më pas në tigan shtojmë një lugë gjelle sos domatesh, susamin, kripën, piperin e zi (pak sa për shije) dhe i fërgojmë edhe për pak minuta.
Nëse dëshironi mund ta përdorni salcën edhe pa e fërguar por unë e preferoj kështu pasi që salca ka shije më të mirë kur është e fërguar. Pasi brumi të dyfishohet e marrim dhe e vendosim në tavolinë të përmiellur, e ngjeshim pak me duar dhe më pas ndajmë nga brumi 12 kulaçe në madhësi mesatare.
I vendosim kulaçet në tepsi me letër kuzhine, i mbulojmë sipër dhe i lëmë të qëndrojnë ashtu edhe për 15 minuta. Pasi të kenë pushuar kulaçet ju vendosim sipër salcën e përgatitur më parë me ndihmë e një luge, duke hedhur salcë në secilën kulaçe dhe më pas i fusim në furrën e ngrohur më parë dhe i pjekim në 180 gradë C derisa pjesa e poshtme dhe anësoret të marrin ngjyrë të artë.
Ju bëfshin mirë!