Pothuajse gjysma e njerëzve vuajn nga ky problem, i cili lidhet me një mungesë komunikimi në tru.
Dridhja e duarve, apo e pjesëve të tjera të trupit është një gjendje mjaft problematike, e cila bëhet mjaft e shpeshtë në moshat e mesme dhe të treta. Kjo gjendje e cila në gjuhën mjekësore njihet si “Tremori”, kërkon kujdes të veçantë pasi bëhet pengesë në realizimin e aktiviteteve të përditshme. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në krijimin e kësaj gjendjeje.
Mjekja Ilda Xhelili, ndalet në identifikimin e faktorëve më të shpeshtë që bëhen shkak për shfaqjen e këtyre dridhjeve, si dhe masave të menjëhershme që duhet të merren për të shmangur pasojat që mund të shkaktojë.
Mjekja rekomandon që të bëhet kujdes me trajtimin, i cili duhet të jetë kompetencë vetëm e mjekut specialist neurolog. Nëse ndihma e specializuar mjekësore merret në kohën e duhur dridhja (tremori), mund të trajtohet pa shkaktuar ndërlikime të tjera.
Çfarë është tremori (dridhja)?
Me tremor kuptojmë lëvizje të paqëllimshme (të pavullnetshme) muskulore ritmike që përfshin lëvizjen e ndryshme (oshilimet) e një, ose më shumë pjesëve të trupit. Kjo mund të prekë duart, këmbët, krahët, kokën, fytyrën, por edhe zërin. Shumica e dridhjeve ndodhin në duar.
Në disa persona dridhja është simptomë e një çrregullimi neurologjik, ose mund të shfaqet si efekt anësor i medikamenteve të caktuara. Megjithatë, forma më e zakonshme e dridhjeve ndodh në njerëz që në përgjithësi janë shumë të shëndetshëm.
Edhe pse dridhja nuk është kërcënuese për jetën, ajo mund të jetë e sikletshme për shumë njerëz nga pikëpamja emocionale, por edhe mund të vështirësojë kryerjen e detyrave të caktuara gjatë përditshmërisë.
Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të tremorit?
Tremori, zakonisht shkaktohet nga problemet në pjesë të trurit që kontrollojnë muskujt në të gjithë trupin, ose në zona të veçanta, të tilla si duart.
Çrregullimet neurologjike, ose kushtet që mund të prodhojnë tremor (dridhje) përfshijnë sklerozën e shumëfishtë (multiple), dëmtime traumatike të trurit dhe sëmundje neurogjenerative që dëmtojnë, ose shkatërrojnë pjesë të ndryshme të trurit.
Shkaqe të tjera përfshijnë përdorimin e disa ilaçeve për periudha të zgjatura (kryesisht medikamentet e fushës së psikiatrisë dhe kortizonikët), por edhe abuzimi me alkoolin dhe ndërprerja e menjëhershme e tij.
Në rastin e të alkoolizuarve, helmimi nga Mërkuri, infeksionet e avancuara të gjëndrës tiroide, ose pamjaftueshmëria e punës së mëlçisë (insuficienca hepatike). Në disa raste njihet edhe predispozicioni familjar, por në jo pak raste shkaku mbetet i panjohur.
Cilat janë karakteristikat e tremorit?
Karakteristikat mund të përfshijnë një lëkundje ritmike tek duart, krahët, koka, këmbët, ose trungu, dridhje zëri, vështirësi në shkrim dhe vizatim, problem me mbajtjen e sendeve në dorë.
Disa lloje dridhjesh mund të shkaktohen, ose të ekzagjerohen gjatë periudhës së stresit, ose emocioneve të forta, gjatë lodhjeve fizike, ose gjatë disa pozicioneve, ose lëvizjeve të caktuara. /pergatit.com