Përbërësit: 500gr kore të gatshme, 100ml ujë, 100ml vaj, gjysmë kavanozi ajvar, 500gr kërpudha shampinjon, 1 presh (purri), kripë sipas shijes.
Përgatitja: Fillimisht pastrojeni dhe priteni preshin (purrin) imët dhe marinojeni me pak ujë (100ml ujë) dhe vaj (100ml vaj) në një enë kuzhie. Kur të zbutet preshi, shtoni më pas kërpudhat e grira në rende, të cilat i kemi pastruar më parë dhe grirë imët. Më pas zieni të gjitha së bashku derisa të avullohet i gjithë uji, nëse mbetet pak ujë përdoreni për lyerje të koreve duke e kombinuar edhe me vajin.
Pasi masa me presh dhe kërpudha të jetë gati, merrni nga tri kore, të parën spërkateni pak me vaj më pas vëreni tjetrën sipër dhe lyeni me ujin e mbetur nga kërpudhat dhe preshi apo me ujë të zakonshëm. Më pas vëreni edhe koren e tretë sipër dhe lyejeni pothuajse të tërën me ajvar.
Lëreni një petë të palyer të cilën do ta mbështillni të fundit, që të mos rrjedhë masa e përgatitur dhe atëherë në tërë gjatësinë e kores vendosni kërpudhat e marinuara me preshin, duke i mbështjellur në formë roleje. Kështu veproni edhe me koret e tjera.
Piqeni në furrën e ngrohur më parë në 220 gradë C derisa të skuqen. Nëse ju mbetet vaj dhe lëngu i kërpudhave, lirisht lyejini piten sipër shpojeni me thikë dhe sërish lyejini. Teprica e ujit do të avullohet derisa është duke u pjekur në furrë. Bëhet një pite fantastike që të shkrihet në gojë, duhet ta provoni patjetër. Ju bëftë mirë!