Studime të ndryshme i lidhin pijet energjike – sidomos pijen Red Bull dhe Monster – me probleme të zemrës, stomakut dhe nervave, por një hulumtim nga Universiteti i Teksasit është i pari që tregon qartë rrezikun e sindromit metabolik, i cili shkaktohet nga pijet energjike që i konsumoni çdo ditë.
Hulumtimi i tyre gjeti se vetëm një pije energjike mund t’i ngushtojë enët e gjakut në vetëm 90 minuta, duke ndalur kështu rrjedhjen normale të gjakut në organet më vitale të trupit, duke çuar kështu në probleme shëndetësore si, sulm të mundshëm në zemër dhe arrest kardiak.
Për ta realizuar studimin e tyre, ekipi i Universitetit të Teksasit mori 44 studentë nga Shkolla e Mjekësisë “McGovern, që të gjithë të shëndetshëm. Hulumtuesit deshën t’i testojnë efektet e pijeve energjike në endohelium, një shtresë e qelizave që gjendet në sipërfaqen e venave, arterieve dhe enëve të tjera të gjakut.
Para testimit, pjesëmarrësit në test pinë një pije energjike dhe 90 minuta më pas, ekipi i hulumtuesve gjetën se diametri i brendshëm i enëve të gjakut ishte pothuajse gjysmë më i vogël sesa 90 minuta më parë. Por pse ndodhi kjo?
Ekipi i hulumtuesve dyshon se kjo mund të jetë për shkak të përbërësve që ndodhen në pothuajse çdo pije energjike (si për shembull kafeinë, sheqer, taurinë dhe të tjera). Sheqeri i lartë në gjak, për shembull, ishte vërejtur edhe në studime të tjera se shkakton ngushtimin e enëve të gjakut, duke çuar në rrjedhje më të vogël të gjakut në organet vitale.
“Pasi pijet energjike po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara, është e rëndësishme të studiohet efekti i këtyre pijeve tek ata njerëz që i përdorin vazhdimisht ato dhe për të përcaktuar më mirë nëse këto pije janë të sigurta për t’u konsumuar”, tha Dr. John Higgins, një profesor i mjekësisë në Shkollën McGovern, aty ku u mbajt eksperimenti. Gjetjet e këtij studimi u prezantuan dhe diskutuan në Sesionin Shkencor të Organizatës Amerikane të Zemrës në Çikago, SHBA.