Përbërësit: 10 vezë, 10 lugë gjelle miell, 4 lugë gjelle niseshte, 10 lugë gjelle sheqer, një portokall (lëkurën të grirë imët në rende).
Përbërësit sherbetin: 1kg sheqer, 5 gota e gjysmë ujë, një lugë kafeje me vanilje.
Përgatitja: Përgatisim sherbetin fillimisht që ti japim kohë që të ftohet më pas, në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin, e rrisim temperaturën e zjarrit derisa të fillojë të marrë valë shurupi dhe e përziejmë. Sa të fillojë zierja ulim temperaturën e zjarrit dhe e lëmë të zihet ngadalë për 10 minuta.
Shtojmë vaniljen nga fundi i zierjes dhe më pas e përziejmë dhe e largojmë sherbetin nga zjarri që të ftohet. Në një enë të madhe rrahim të bardhat e vezëve, shtojmë sheqerin dhe vazhdojmë rrahjen e vezëve më ngadalë derisa të tretet sheqeri dhe të kemi një shkumë të qëndrueshme.
Shtojmë të verdhat e vezëve një nga një duke i përzier vazhdimisht dhe duke shtuar pak shkallen e shpejtësisë së mikserit. Më pas shtojmë miellin, niseshten, lëvoren e portokallit të grirë në rende imët dhe vazhdojmë rrahjen e brumit të revanis derisa të kemi një masë të njëtrajtshme.
Hedhim masën e përgatitur në një tepsi të lyer me yndyrë dhe e vendosim në furrë të nxehur në temperaturë 170 gradë C për 40 deri 50 minuta. Largojmë revanin nga furra dhe pas 2-3 miutash ia shtojmë shurupin e ftohur.
Ju bëftë mirë!