Përbërësit: 5 vezë, 100gr sheqer, 150ml qumësht, 150ml vaj, 100gr grizë gruri, 200gr miell, 12gr pluhur për pjekje, arra të grimcura.
Për sherbetin: 200gr sheqer, 500ml ujë, 1 sheqer vanilje, lëng limoni.
Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine dhe shtojmë 5 vezë, 100gr sheqer dhe i përziejmë për 5 minuta me mikser. Më pas tek masa shtojmë 150ml qumësht, 150ml vaj, 100gr grizë, 200gr miell duke e situr në sitë, 12gr pluhur për pjekje dhe më pas e rrahim masën me mikser edhe për 2 minuta të tjerë deri sa të treten mirë të gjithë përbërësit.
Pasi e kemi përzier masën mirë me mikser, marrim një tepsi për ëmbëlsira e lyejmë me gjalpë (margarinë) më pas masën e përgatitur e hedhim në tepsi duke e shtrirë mirë në të gjithë sipërfaqen e tepsisë. Pasi e kemi hedhur në tepsi sipër ëmbëlsirë hedhim arra aq sa kemi dëshirë.
Më pas ëmbëlsirën e fusim në furrë për pjekje në 180 gradë C për 30 minuta, furra duhet të jetë e nxehur paraprakisht. Pasi të piqet e largojmë nga furra dhe e lëmë me një anë që të ftohen, kurse më pas fillojmë përgatitjen e sherbetit për revanin.
Marrim një enë kuzhine (tenxhere) e vendosim në zjarr dhe shtojmë 200gr sheqer, 500ml ujë, 1 sheqer vanilje, shtrydhim lëng limoni (gjysmën e limonit). Sherbetin e ziejmë për 5 minuta, sa të marr valë më pas e largojmë. Ëmbëlsirën e presim më pas me thikë në copëza katrore, më pas revanisë së ftohtë ia hedhim sipër sherbetin e nxehtë. Ju bëftë mirë!