Përbërësit: 6 vezë, 5 lugë gjelle sheqer, 3 lugë gjelle miell, 3 lugë gjelle kakao, 1 lugë të mesme pluhur për pjekje (pecivë).
Për lyerje: 300ml qumësht, 2 pako shllag krem çokollate, 5 banane, çokollatë e bardhë e grimcuar.
Përgatitja: Marrim një enë kuzhine dhe shtojmë 6 të bardhat e vezëve kurse në një enë tjetër shtojmë 6 të verdhat e vezëve. Të bardhat e vezëve i përziejmë me mikser për 7 minuta, pasi i kemi përzier të bardhat e vezëve në to shtojmë 5 lugë gjelle sheqer dhe i përziejmë edhe për pak deri sa të tretet sheqeri.
Më pas të verdhat e vezës i shtojmë tek të bardhat e vezëve dhe e tundim përsëri masën me mikser. Pastaj tek kremi që e kemi fituar nga vezët, shtojmë 3 lugë gjelle miell, 3 lugë gjelle kakao, 1 lugë të mesme pluhur për pjekje dhe e përziejmë masën mirë me lugë deri sa të bëhen bashkë përbërësit.
Pasi masa të jetë gati, e hedhim në tepsi të lyer me letër kuzhine duke e shtrirë mirë me lugë në të gjithë sipërfaqen e tepsisë, më pas e pjekim në furrën e para ngrohur në temperaturë 200 gradë C për 15 minuta. Pasi të piqet ëmbëlsira e largojmë nga furra.
Duke qenë ende e nxehtë ëmbëlsira e rrotullojmë nga të dyja anët me letër kuzhine, duke formuar roladën nga të dyja anët ashtu siç e shikoni në video dhe e mbulojmë sipër me një peshqir kuzhine deri sa të ftohet që të bëhet e butë.
Më pas përgatisim kremi për lyerje me 300ml qumësht, 2 pako krem shllag çokollate dhe e përziejmë me mikser deri sa të bëhet një krem i trashë. Pastaj e marrim ëmbëlsirën e lyejmë sipër me krem dhe vendosim nga 3 banane në të dyja anët të prera mesatarisht.
Më pas me ndihmën e letrës së kuzhinës e rrotullojmë ëmbëlsirën nga të dyja anët, duke formuar kështu një roladë si në video. Më pas ëmbëlsirën e lyejmë sipër me pjesën tjetër të kremi dhe ia bëjmë disa vija sipër me anë të një piruni për dekorim, krejt në fund shtojmë dhe çokollatë të bardhë të grirë në rende. Ju bëftë mirë!