sarme

Sarme me lakër të bardhë

Një recetë plot shije dhe shëndet. Sarme me lakër të bardhë është recetë që përgatitet çdo herë, por shijon më shumë sidomos gjatë fundit të vjeshtës dhe fillimit të dimrit.

Përbërësit për sarme:

  • 1 kokë lakër mesatare
  • 100 gr mish të grirë
  • 5 kokrra qepë mesatare
  • 100 gr oriz
  • salcë domatesh
  • kripë
  • piper
  • majdanoz

Udhëzimet:

Pastrojmë lakrën nga fletët e dëmtuara dhe i presim pjesën fundore. Më pas heqim edhe pjesën e fortë. Ndërkohë që pastrojmë lakrën, në zjarr venë një enë me ujë të bollshëm. Pasi të ketë vluar ujë, i hedhim kripën dhe vendosim lakrën të ziejë me fundin poshtë për gati 5-6 minuta. Më pas e heqim lakrën dhe e kullojmë të ngrohtë.

I hapim fletët një e nga një në një tavë ose mbi tavolinën e punës. Vazhdojmë me përgatitjen e mbushjes për sarme. Grijmë qepën hollë, e hedhim në tiganë dhe e kaurdisim pak. Më pas në një enë qelqi hedhim mishin e grirë, orizin, salcën, e domates, kripë, piper, majdanoz si dhe qepën e kaurdisur. E punojmë mirë me dorë derisa të bëhet një masë homogjene.

Marrim fletët e lakrës dhe i mbushim me anë të një luge me masën e përgatitur. I mbledhim anët dhe i palosim në formë role duke i shtrënguar pak me dorë (nqs gjethja ka akoma kërcellin e fortë, e shtypim me lugë). Vazhdojmë kështu për të gjithë gjethet e lakrës derisa të mbaroj mbushja. Sarmet e përgatitura i vendosim në tavë duke i ngjeshur afër njëra tjetrës.

Që të mos hapen gjatë pjekjes u vihet sipër gjethe lakre të hapura. Pastaj hidhen dy gota uji i nxehtë (rreth 200 mL ujë) nga lakra të përzier me salcë domate. Tavën e futim në furrë të nxehur për gati 35-40 minuta, në temperaturën 200 gradë. Sarmet me lakër shërbehen si pjatë e veçantë e shoqëruar me perime të stinës dhe pse jo djathë dele.