Sheqerpare me arra

Përbërësit:

1kg gjalpë të zbutur, 1kg miell, 12 të verdha vezësh dhe një e tërë, një lugë çaji sodë buke,
200gr arra të grimcuara, 2kg sheqer.

Përgatitja:

Gjalpi i zbutur pritet në pjesë të vogla me thikë, përzihet me dorë duke i shtuar vezët një nga një. Pasi të bëhet masë e njëllojtë, hidhet mielli i përzierë me sodë dhe përzihet mirë. Brumi futet në frigorifer për 2-3 orë ose tërë natën. Nga brumi i përgatitur ndahen 45-50 gogla, të cilat hollohen sa një pjatë e vogël, brumi i holluar paloset në katërsh dhe prapë rritet në katrorë, në diametër 10 centimetra.

Në mes të çdo katrori qiten arra të grimcuara, bashkohen skajet dhe sheqerparet radhiten në tepsi të lyer me gjalpë. Furra nxehet në 200 gradë C dhe, sa të futet në furrë, ulet temperatura në 160 gradë C dhe piqet dalngadalë gjersa të marrë ngjyrë të kuqërremtë të lehtë.

Me të njënjtin brumë mund të përgatiten edhe sheqerpare në formë trëndafili. Brumi hollohet dhe me anë të gotës nxirren nga 4 rrumbullakë, të cilët e mbulojnë deri në gjysmë njëri-tjetrin, pastaj ndahen përgjysmë hidhen arra në petën e parë dhe mbështillen trëndafilat.

Edhe sheqerparet e rrumbullakëta klasike, përgatiten me të njejtin brum. Këtyre mund t’u vendoset mbi nga një thelp arre.

Sherbeti:

Sheqeri në tenxhere duhet të mbulohet me ujë për dy gishta. Hidhet ½ limon i prerë në fleta, pasi të vlojë dhe të trashet sikurse sherbeti i bakllavasë, largohet nga zjarri i shtohet një filxhan i kafes ujë i ftohtë dhe sheqerparja e ftohur përvëlohet me sherbet të nxehtë. Në mënyrë që ta pijë më mirë sherbetin, sherbeti i hidhet me lugë sipër çdo sheqerpareje nga disa herë. Mbulohet me tepsi ose letër plastmasi gjersa ta pijë sherbetin. Ju bëftë mirë !