Rolladë shumë e butë e cila përgatitet shumë shpejt dhe nuk ka nevojë për shumë përbërës, të shkrihet në gojë me shijen fantastike që ka. Provojeni dhe nuk do të zhgënjeheni!
Përbërësit:
- 5 vezë
- 160gr sheqer
- 160gr miell
- 120gr copëza çokollate(chocolate chips)
- 500gr nutella
- sheqer pluhur
Përgatitja:
Fillimisht marrim vezët dhe i ndajmë të verdhat e vezës nga të bardhat, më pas në një enë kuzhine shtojmë të bardhat e vezës dhe i përziejmë me mikser derisa të bëhet një krem i trashë. Pastaj në një enë tjetër kuzhine shtojmë të verdhat e vezës, sheqerin dhe i përziejmë mirë me mikser.
Më pas tek të verdhat e vezës shtojmë 160gr miell, e përziejmë masën me tel kuzhine dhe pastaj shtojmë të bardhat e vezëve qe i kemi përzier fillimisht. I bëjmë bashkë gradualisht duke i përzier me lugë më pas tek masa shtojmë copëza të vogla çokollate dhe e përziejmë masën përsëri mirë me lugë.
Masën e brumit e hedhim në tepsi katrore me letër kuzhine dhe e pjekim në temperaturë 180 gradë C për 10 minuta. Pasi të jetë pjekur e lyejmë sipër me nutella të shkrirë apo çfarë do kremi që dëshironi, e mbështjellim duke bërë formë e rolës dhe më pas e lëmë të qëndrojë ashtu për 60 minuta.
Para se ta shërbejmë e dekorojmë sipër me sheqer pluhur. Bëhet shumë e shijshme dhe përgatitet shpejt. Ju bëftë mirë!