tortë

Tortë kremoze me vanilje, e gatshme në pak minuta

Tortë më të shijshme nuk keni provuar, përgatitet super shpejt dhe ka një shije shumë të shijshme. Petat aq të buta dhe me aromë shumë të mirë të lënë për të dëshiruar!

Përbërësit:

  • 4 vezë
  • kripë
  • 120gr sheqer
  • 1 lugë të mesme ekstrakt vanilje
  • ½ lëvore limoni
  • 85ml qumësht
  • 40gr gjalpë (margarinë)
  • 120gr miell
  • 1 lugë të çajit pluhur për pjekje (baking powder)

Për kremin:

  • 350gr krem djathi (djathë i butë i bërë nga qumështi dhe kremi i paskremuar, mascarpone apo philadelphia)
  • 3-4 lugë të çajit ekstrakt vanilje
  • 80gr sheqer pluhur
  • 175ml hopla

Përgatitja:

Në një enë kuzhine shtojmë vetëm të bardhat e vezëve, shtojmë kripë (më pak se një lugë çaji) dhe i përziejmë mirë me mikser derisa të fitojmë një krem të trash. Më pas në një enë tjetër kuzhine shtojmë tre të verdha të vezëve, sheqer, ekstrakt vanilje, lëvore limoni dhe e përziejmë masën mirë me lugë më pas me mikser.

Shtojmë pastaj qumështin, gjalpin dhe e përziejmë edhe për pak me tel kuzhine. Më pas tek masa shtojmë miellin, pluhurin për pjekje dhe e përziejmë ngadalë me tel kuzhine ose lugë druri. Krejt në fund shtojmë edhe kremin qe e kemi fituar më parë nga të bardhat e vezëve. E përziejmë mirë brumin dhe më pas e hedhim në tepsi katrore me letër kuzhine.

Tortën e pjekim në temperaturë 180 gradë C për 15 minuta. Pasi të piqet e ndajmë në katër pjesë të barabarta, ashtu siç e shikoni në foto. Në ndërkohë përgatisim kremin me përbërësit që i kemi cekur më lartë. Shtojmë në një enë kuzhine krem djathin, ekstraktin e vaniljes, sheqerin dhe e përziejmë mirë me mikser për 3 minuta, më pas shtojmë hopla dhe e përziejmë përsëri me mikser derisa të bëhet një krem i trash.

I marrim petat që i kemi ndarë në katër pjesë, e lyejmë secilën petë me krem dhe petën e fundit sipër. Më pas e dekorojmë me sheqer vanilje. Ju bëftë mirë!