Tortë Milka

Përbërësit:

1L qumësht,10 lugë sheqer, 3 puding vanilje, 300gr çokollatë milka e zezë, 100gr çokollatë milka e bardhë, 500ml ajkë e ëmbël (hopla për ëmbëlsira ose krem pana), biskota plazma.

Udhëzimet:


Në një enë hedhim qumështin të vlojë. Më parë ndajmë një gotë qumësht që të përziejmë pluhurin e pudingave dhe sheqerin në të. Pasi të vlojë qumështi, shtojmë pudingat e tretur dhe përziejmë derisa të trashet mirë kremi i pudingut duke mos lenë të formohen kokërrza.

Kremin e pudingut e ndajmë në dy enë veçmas. Në njërën enë shtojmë çokollatën e zezë dhe përziejmë derisa të shkrihet çokollata. Në pjesën tjetër shtojmë çokollatën e bardhë dhe përziejmë derisa të shkrihet çokollata. Kremërat e përgatitur i lëmë të ftohen të mbuluar me folie plastmasi që gjatë ftohjes të mos formojnë shtresa përsipër.

Më pas përziejmë ajkën e ëmbël derisa të trashet. Marrim nga ajka ¼ të kremit dhe e shtojmë tek ena me pudingun dhe çokollatën e zezë, kurse ¼ e ajkës e shtojmë tek ena me pudingun dhe çokollatën e bardhë. Që të dy kremërat i përziejmë mirë, ka mbetur edhe gjysma e ajkës së ëmbël. Në një enë të thellë shtrojmë folie plastmasi dhe anash.

Në po atë enë hedhim nga kremi me çokollatë të bardhë dhe nga kremi me çokollatë të zezë. Rrafshojmë mirë derisa të shtrihet masa duke e përzier me shumë kujdes (ndodh që përzihen shtresat por nuk është ndonjë gjë e madhe). Më pas mbi shtresën me çokollatat dhe pudingët hedhim masën e ajkës së ëmbël dhe e rrafshojmë.

Përsipër hedhim prapë nga kremrat më çokollatë kurse krejt sipër shtrijmë biskotat plazma derisa të mbulohet krejt sipërfaqja e tortës. Mbulojmë më folie plastmasi dhe enën e vëmë në frigorifer për disa orë. Pastaj largojmë enën nga frigoriferi dhe e kthejmë përmbys, në mënyrë që shtresa me biskotat të mbetet në fund. /pergatit.com

Tanimë torta duhet të jetë formësuar mjaftueshëm dhe dekoroni sipas dëshirës. Ju bëftë mirë!