Tortë shtresore me çokollatë

Përbërësit:

7 vezë, 200gr sheqer pluhur, 200gr margarinë, 200gr çokollatë për zierje, 100gr biskota të bluara + 6 vezë, 200gr sheqer pluhur, 180gr çokollatë për zierje, 200gr margarinë, 200gr lajthi të pjekura, bajame, arra, 3 qese me pluhur krem pana (shllag),1L ajkë e ëmbël (hoplla për ëmbëlsira).

Përgatitja:

Përziejmë të bardhat e vezës me maje thike krip derisa të bëhet shkumë e fortë. Në një enë tjetër përziejmë margarinën me sheqerin pluhur, më pas shtojmë një nga një të verdhat e vezës dhe i përziejmë.

Tanimë shtojmë shkumën nga të bardhat dhe i përziejmë ngadalë me lugë, shtojmë biskotat e bluara dhe i përziejmë gjithashtu. Masën e qesim në kallëp të lyer dhe të mbuluar me letër për pjekje dhe e pjekim në 150 gradë për 15 minuta.

Pandispanjën e pjekur dhe te ftohur e ndajmë në dy shtresa horizontale. Për kremin përziejmë vezët me sheqerin pluhur dhe i hedhim mbi një enë në të cilën vlon uji, pra i ziejmë mbi avull, pastaj i largojmë nga zjarri dhe shtojmë çokollatën dhe e përziejmë derisa të shkrihet çokollata.

Pasi të ftohet kremi shtojmë margarinën e rrahur në shkumë dhe në fund lajthit, arrat ose bajamet e bluara. Përziejmë ajkën e ëmbël derisa të bëhet shkumë e fortë. Në një tabaka qesim një shtresë pandispanjë, një shtresë nga kremi me çokollatën dhe vezët të ziera mbi avull. Më pas një shtresë ajkë, dhe prapë një shtresë pandispanjë, kremin me çokollatë dhe kremi i bardhë.

Në fund tërë tortën e lyejmë me krem panën e përgatitur sipas udhëzimeve në qeske (ose mundet në vend të krem panës ta lyejmë me ajkën e ëmbël sepse do të kemi sasi të mjaftueshme nga 1L ajkë). Ju bëftë mirë !