Përbërësit:
8 vezë, 2 gota miell, një gotë ujë të ngrohtë, 2 pako pluhur për pjekje, 2 pako sheqer vanilje,
2 gota sheqer, pak kripë.
Për sherbetin:
4 ½ gota qumësht, 3 pako krem (600ml), 3 lugë gjelle sheqer.
Për sosin e mjedrave:
250g mjedra të ngrira, 3 lugë gjelle sheqer, një lugë gjelle niseshte, 2 gota ujë.
Përgatitja e sherbetit:
Në një enë mesatare, hedhim 4 gota e gjysmë qumësht, 3 pako krem të ëmbël (600ml) dhe 3 lugë gjelle sheqer. I përziejmë mirë me lugë të madhe dhe masën e fituar e derdhim ngadalë me kujdes mbi tortë, duke u siguruar që sherbeti depërton në vrimat e tortës.
Përgatitja e sosit:
Marrim një tigan mesatar dhe në të hedhim 250gr mjedra të ngrira, 2 gota ujë, 3 lugë gjelle sheqer dhe 1 lugë gjelle niseshte dhe i përziejmë mirë derisa të fitohet masa e duhur. Pastaj duke përdorur një kulluese, e ndajmë sosin e fituar nga frutat, dhe e lyejmë ëmbëlsirën me të.
Përgatitja e brumit të tortës:
Parangrohim furrën në 160 gradë celsius. Ndajmë të bardhat nga të kuqtë e vezëve. Në një enë mesatare, rrahim të bardhat e vezëve me mikser në shpejtësi mesatare derisa të fitohet masë kremoze.
Pastaj në një enë tjetër vendosim të kuqtë e vezëve, 2 gota sheqer dhe i përziejmë për 5 minuta. Përzierjes ia shtojmë edhe një gotë ujë të ngrohtë dhe e përziejmë përsëri, pastaj ia shtojmë 2 gota miell, pluhurin për pjekje, sheqer vaniljen dhe i përziejmë mirë me mikser.
Kësaj përzierje ia bashkëngjitim përzierjen e mëhershme (të bardhat e vezëve – të përzier me mikser) dhe i përziejmë mirë derisa masa të bëhet homogjene. Masën e derdhim në një tavë apo tepsi të shtruar me letër kuzhine për pjekje (40×27 cm) në mënyrë të barabartë dhe e fusim në furrë për t’u pjekur për rreth 40 minuta.
Kur ta nxjerrim nga furra, ia prejmë skajet me thikë dhe e heqim nga tepsia, e rrotullojmë dhe ia heqim letrën e kuzhinës dhe i bëjmë vrima duke përdorur kruajtëse dhëmbësh (në mënyrë që të depërtojë qumështi).
Pastaj e vendosim përsëri në tepsi dhe ia hedhim shërbetin dhe sosin e mjedrave. Në fund, e fusim në frigorifer për ftohje, dhe pas disa orësh ëmbëlsira është gati për t’u ngrënë. /pergatit.com
Ju bëftë mirë!
Procedura përmes fotografive: