bakllava

Bakllava me petë të gatshme, e shpejt për 15 minuta

Përbërësit për bakllava janë:

  • 2 pako me peta të gatshme (480gr)
  • 600gr arra të bluara
  • 500gr gjalpë (margarinë).

Për sherbetin:

  • 1kg sheqer
  • 2 feta limoni
  • 1 litër ujë

Përgatitja:

Fillimisht marrim nga dy peta përnjëherë dhe i lyejmë sipër me gjalpë, ashtu siç e shikoni në video. Më pas marrim arrat e bluara dhe i vendosim me lugë në fillim të petës, e palosim së pari petën sipër arrave siç e shikoni në video, pastaj me anë të hollueses e palosim në formë të rolës.

Pasi e kemi mbështjellë petën, e rrudhim me duar nga të dyja anët dhe e largojmë nga holluesja. Tepsinë gjithashtu e lyejmë paraprakisht me gjalpë, më pas petën e mbështjellur e presim me thikë në katër kulaçe dhe e vendosim në tepsi. Tepsia duhet të jetë me madhësi 40cm.

Kështu vazhdojmë edhe me petat e tjera, duke i marr nga dy peta për njëherë. Pasi i kemi vendosur të gjitha kulaçet në tepsi e lyejmë sipër bakllavën me gjalpë. Furrën e nxehim paraprakisht në 180 gradë C dhe më pas e fusim bakllavën në furrë për pjekje për 35 minuta, ndërsa e gatshme në përgatitje është për vetëm 15 minuta.

Derisa e pjekim bakllavën e përgatisim sherbetin, ku në një enë kuzhine kemi shtuar 1 litër ujë, 1kg sheqer, dy feta limoni dhe e ziejmë për 20 minuta. Bakllavën e lëmë që të ftohet dhe pasi të ftohet sipër i hedhim sherbetin e nxehtë dhe dy fetat e limonit i vendosim në mes. Më pas e lëmë derisa të ftohet dhe ta marr të gjithë sherbetin. Një recetë e bakllavës shumë e lehtë dhe e shpejtë e përgatitur nga zonja Neri. Ju bëftë mirë!