Pak gjëra mund të shkojnë aq mirë me njëra tjetrën siç makaronat me fasulet, ose më mirë, me bishtajorët. Sepse, në vend të fasuleve, mund të jenë edhe thierzat, qiqrat, bizelet etj.
Qepa, karota dhe selinoja janë gjithnjë baza. Nëse i shtoni pastaj pak pançetë e domate, nuk do të bëheni pishman për menunë që keni zgjedhur. ‘gjellës’ që përgatitët, mund të vendosni t’i jepni trajtë kremi duke e kaluar në mikser, ose t’a shërbeni ashtu, duke i shtuar në minutat e fundit të zierjes, makaronat.
Ka kush e pëlqen të hollë e me më shumë në lëng, duke e bërë të ngjajë më tepër si supë. Të tjerë, preferojnë t’a konsumojnë me salcë më të trashur. Në të gjitha variantet, përveç se shumë e ushqyeshme (sado që me përbërës aspak të shtrenjtë) është pjatë ideale për dimrin e ftohtë.
Me këtë në tryezë, nuk është nevoja për pjatë tjetër shoqëruese. Kujtojmë që këtë recetë mund t’a përgatisni shumë mirë edhe në rast se ju kanë tepruar fasulet e përgatitura një ditë më parë. Ruajini në akull nëse doni t’i konsumoni, pas, p.sh 4-5 ditësh.
Përbërësit për 4 persona të uritur:
300 gr fasule të llojit që preferoni
1 qepë e bardhë
2 degë selino
1 karotë
Domate konservë
Pançetë ose salsiçe të freskëta (nëse doni)
Gjethe dafine
Vaj ulliri
Kripë, piper
200-300 gr makarona (të shkurtra)
Përgatitja:
Vendosni një natë më parë fasulet në ujë. Në momentin që do t’i gatuani, shpëlajini dhe janë gati. Ziejini për gati 2 orë me disa gjethe dafine. Ndërkaq, në një tigan, përgatisni bazën. Qepën e grirë jo hollë, karotën dhe selinonë. Kaurdisini dhe shtoni më pas domatet me pançetën. Shtoni ujë sipas mënyrës se si do t’i donit. Pra, më tepër nëse i pëlqeni me shumë lëng, dhe më pak në të kundërtën. zierjen përfundimtare bëjeni me gjithë fasulet. Po aty mund të shtoni për të zierë edhe makaronat ose t’i zieni veç siç bëni përherë, dhe t’ia shtoni në fund. Rregulloni shijen me kripë e piper dhe në fund, në pjatë, shtoni pak vaj ulliri.